AKTIVITET TRAJNUES: “Titujt ekzekutivë, llojet e akteve të parashikuara nga ligji, praktika gjyqësore" - 1 prill 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 1 prill 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë:“Titujt ekzekutivë, llojet e akteve të parashikuara nga ligji, praktika gjyqësore", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Dashamir Kore; Altin Shkurti  

Lehtësues: Alda Sadiku

Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon thellimin e njohurive të pjesëmarrësve mbi funksionin kryesor të titullit ekzekutiv që ka për qëllim të krijojë një bazë ligjore për ekzekutimin e detyrimeve të përfshira në të duke garantuar që kreditori të mund të ushtrojë të drejtën e tij për ekzekutim pa pasur nevojë për procedura të mëtejshme provuese mbi ekzistencën e detyrimit. Titulli ekzekutiv është i lidhur ngushtë me sigurinë juridike dhe efektivitetin e zbatimit të të drejtave civile, pasi ai përcakton qartë subjektin, përmbajtjen dhe bazën e detyrimit që mund të ekzekutohet. Titulli ekzekutiv është burim i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i legjitimimit të kreditorit për të iniciuar procesin e ekzekutimit të detyrueshëm, legjitimitet që buron nga fakti që ai që ka titullin ekzekutiv ose në favor të të cilit është lëshuar titulli ekzekutiv, ka dhe të drejtën e përfshirë në të. Trajnimi trajton çështje mbi mundësinë e kundërshtimit të titullit ekzekutiv, kur ai pretendon të ketë defekte në vlerësimin e marrëveshjes ose shkelje të procedurës, por njëkohësisht vendimet që përbëjnë titull ekzekutiv duhet të konsiderohen të vlefshme deri sa të vërtetohet e kundërta në rrugë gjyqësore. Kështu, titulli ekzekutiv shërben si instrument kryesor për realizimin praktik të detyrimeve civile dhe për të ruajtur besueshmërinë e marrëdhënieve kontraktuale. Gjithashtu synohet të vihet theksi në faktin që Ekzekutimi i detyrueshëm i titullit ekzekutiv, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile, bëhet vetëm në rast se detyrimi nuk përmbushet vullnetarisht dhe ka si bazë ekzistencën e një titulli ekzekutiv, i cili përmban në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë një detyrim të caktuar. Pra, procedura e ekzekutimit nuk është një mjet “autonom”, por funksion i drejtpërdrejtë i përmbajtjes dhe natyrës juridike të titullit ekzekutiv. Në trajnim u trajtua më gjerësisht koncepti i “pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv”. Pavarësisht se neni 609 i Kodit të Procedurës Civile titullohet “pavlefshmëria e titullit ekzekutiv”, nga përmbajtja e tij rezulton se bëhet fjalë për “goditjen e titullit ekzekutiv” dhe pavlefshmëria është vetëm njëri nga motivet e goditjes së titullit. Motive të tjera për të cilat mund të goditet titulli ekzekutiv janë rastet kur detyrimi nuk ka ekzistuar ose është pakësuar apo shuar, përpara ose gjatë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm. 

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Titujt ekzekutivë në vështrimin krahasues. Vështrim krahasues në aspektin evolutiv të titujve ekezekutivë. Ekzekutimi i titujve ekzekutivë në epokën dixhitale.
  • Titujt ekzekutivë të parashikuar nga Kodi i Procedurës Civile. Llojet e akteve të parashikuara nga ligji. Aftësimi i gjyqtarëve për titujt ekzekutivë, duke u ndalur posaçërisht në:

 - Titujt ekzekutivë gjyqësorë.

 - Titujt ekzekutivë jo gjyqësorë.

  • Jurisprudenca e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të faktit mbi vlefshmërinë e titujve ekzekutivë dhe veprimeve përmbarimore për ekzekutimin e tyre. 

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe përmbarues gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.